Katër grupe të forcave speciale kanë mbërritur në burgun e Peqinit pas raportimeve për një dron që ka hedhur telefona dhe drogë brenda ambienteve të sigurisë së lartë.
Pas ndjekjes së këtij droni, është zbuluar se ka shpërndarë katër pako me telefona, 8 karikues dhe 31 doza kokainë, 200 gram hashash. Pjesa më e madhe e sasisë është zbuluar nga kullat më të larta të vrojtimit, që kanë aktivizuar alarmin.
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, ka urdhëruar një gatishmëri të lartë dhe kontroll të rreptë në qelitë e burgut. Ndërkohë, policia lokale po kryen kontrolle për të identifikuar dhe ndaluar dronin, i cili është i dyti që kapet brenda pak ditësh, pas incidentit të ngjashëm në burgun e sigurisë së lartë në Burrel.