Kryetarja e Komunës së Preshevës Ardita Sinani ka reaguar në lidhje me vendimin e Serbisë e cila riktheu shërbimin ushtarak me detyrim.
Sinani shprehet se shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Serbi rrezikon paqen dhe sigurinë në rajon.
Ajo thotë se kanë kaluar gati 30 vjet nga shpërbërja e Jugosllavisë, por shqiptarët e Luginës së Preshevës ende mbeten të denjë për politikat diskriminuese të Beogradit.
“Në vitet ’90, kur regjimi i Millosheviqit synonte shtypjen dhe persekutimin e shqiptarëve, të rinjtë tanë u detyruan të largoheshin masivisht për t’i shpëtuar shërbimit ushtarak dhe represionit. Sot historia rrezikon të përsëritet! Kthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak do të sjellë sërish shpërngulje masive të të rinjve shqiptarë nga Lugina e Preshevës”, reagon Ardita Sinani.
Ajo thekson se rajoni ka nevojë për paqe, zhvillim dhe një të ardhme të sigurt për të rinjtë tanë.
“Për fat të keq, Serbia e Vuçiçit vazhdon të tregojë se nuk ka vullnet për normalizim dhe stabilitet. Shqiptarët e Luginës së Preshevës duan paqe, jo tensione! Rajoni ka nevojë për përparim, jo për konflikte të reja”, shkruan Sinani.