Policia e Kosovës ka realizuar me sukses operacionin antidrogë të koduar “Kolonia”, duke arrestuar tre persona dhe konfiskuar substanca narkotike me vlerë rreth 40 mijë euro.
Operacioni, i zhvilluar më 14 shtator 2024 në Fushë Kosovë, filloi me ndalimin e një automjeti dhe bastisjen e banesës së një të dyshuari, ku u gjetën 8 kilogramë marihuanë, 59.3 gramë kokainë, 92 tableta Extazi dhe 4,800 euro.
Në vijim të operacionit, u arrestuan edhe dy persona të tjerë dhe u konfiskua një automjet i dyshuar për transportimin e drogës. Policia ka njoftuar se hetimet vazhdojnë në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe ka theksuar angazhimin e saj në luftën kundër narkotikëve.