Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka shprehur shqetësim të madh për situatën në Sudan, duke theksuar se pothuajse e gjithë popullsia e këtij vendi është e prekur nga uria.
Ghebreyesus paralajmëron se shpërngulja masive e 12 milionë njerëzve dhe përhapja e urisë janë shqetësime serioze që po kërkojnë ndihmë urgjente. Ai kritikoi mungesën e vëmendjes ndërkombëtare për këtë krizë dhe theksoi se gjysma e popullsisë sudaneze, afërsisht 25 milion njerëz, ka nevojë për ndihmë.
Lufta civile që filloi vitin e kaluar mes ushtrisë sudaneze dhe grupit paraushtarak RSF ka shkaktuar një krizë të thellë humanitare, duke rezultuar në vdekjen e mijëra njerëzve dhe një situatë alarmante në kampet e të zhvendosurve.
Përpjekjet për të arritur paqen nga ndërmjetësit ndërkombëtarë kanë dështuar, ndërsa akuzat për mbështetje të jashtme për palët e përfshira vazhdojnë të ndërlikojnë më tej krizën.