Shqiptarët e Luginës protestuan sot kundër shkeljeve të të drejtave të tyre nga Serbia. Pas protestës së mbajtur më 12 gusht në Bujanoc, sot marshuan në Preshevë me moton “Për identitet dhe dinjitet”.
Kryetarja e Preshevës Ardita Sinani u shpreh se kërkohet ndërprerja e pasivizimit të adresave të shqiptarëve nga Serbia, njohja e diplomave, vende të punë dhe institucione të hapura për të gjithë.
“Të marshojmë për barazi dhe drejtësi! Në gusht ishim në Bujanoc, në shtator jemi në Preshevë, për të dëshmuar se jemi një. Problemet tona nuk mund të shtyhen më.
Aspak më pak se sa na takon, asnjëherë më shumë, por gjithmonë atë që meritojmë! Për zbatimin e Marrëveshjeve të nënshkruara dhe për përmbushjen e detyrimeve të shtetit ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Për Preshevën me Gjykatë, për institucione ku shqiptarët janë të përfaqësuar! Kjo është për të gjithë ne, për dinjitetin dhe identitetin tonë. Dilni dhe marshoni”, ka shkruar ajo në Facebook.