Klubi i Bylis me anë të një postimi në rrjetet sociale ka bërë publik këtë vendimin se Emanuel Egbo ka mbyllur bashkëpunimin pas gjashtë javëve të kampionatit.
Në postim thuhej se drejtimin e Bylisit e merr Nevil Dede, i cili do ta nisë punën që sot, në sfidën me Elbasanin që do të luhet të dielën në orën 16:00 në “Adush Muçaj”.
Ndërsa Egbo në një prononcim për faqen e klubit ka shprehur se ka qenë një vendim i vështirë, por ka menduar për të mirën e skuadrës.
“E kam menduar gjerë e gjatë dhe ja kam parashtruar edhe presidentit si mik prej vitesh, se një ndryshim tashmë që është herët mund të sjellë përmirësimin e ekipit dhe kjo lëvizje mund të jetë në të mirën e Bylisit. Unë jam pjesë e këtij klubi, jam mik me presidentin dhe dua kthesën e Bylisit, që mua më ka dhënë shumë si lojtar por edhe si trajner vite më parë. Nuk e heq presidenti trajnerin, sidomos duke ditur edhe mardhëniet që unë kam me Kapllanajn prej vitesh, sepse janë lojtarët ata që luajnë, prej nga varet rezultati, por edhe trajneri. Por edhe pas kësaj, unë do të vazhdoj që të jem afër Bylisit, si tifozi më fanatik, sepse Ballshi është, ka qënë dhe do të mbetet shtëpia ime!”, ka shprehur Emanuel Egbo.