Komandanti i KFOR, Ozkan Ulutash, theksoi rëndësinë e vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke kërkuar angazhim të sinqertë nga të dyja palët. Gjatë një adresimi në Bruksel, ai përmendi se ky proces është një imperativ politik dhe moral për brezat e ardhshëm.
Ulutash e pranoi se dialogu përballet me shumë sfida, përfshirë tensionet dhe mosbesimin ndërmjet komuniteteve. Ai shprehu besimin se me durim dhe një qasje konstruktive, këto pengesa mund të tejkalohen.
“Fatkeqësisht, ka ende shumë sfida. Ende ka tensione dhe mosbesim mes komuniteteve që po pengojnë përparimin. Dialogu politik mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të përballet me pengesa. Në këtë drejtim, NATO dhe KFOR mbështet plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian si kornizë për një zgjidhje afatgjatë për çështjet e pazgjidhura. Mbes optimist se me durim, përkushtim dhe qasje konstruktive nga të dyja palët, këto pengesa mund të tejkalohen”, tha ai, sipas një njoftimi për media.
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë nuk arritën të realizonin një takim të përbashkët gjatë vizitës së tyre të fundit në Bruksel për shkak të mospajtimeve. Ndërkohë, tensionet janë rritur për shkak të vendimeve të Qeverisë së Kosovës në veriun e vendit, që janë cilësuar si veprime të pakoordinuara nga faktori ndërkombëtar.
KFOR vazhdon të mbështesë sigurinë në Kosovë dhe është i gatshëm të ndërmarrë veprime për të ruajtur stabilitetin rajonal.