Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, shpalli se partia nuk e pranon dënimin e deputetit Ervin Salianji me një vit burg nga Gjykata e Apelit.
Gjatë një interviste për Euronews Albania, Boçi theksoi se do të ushtrojnë mosbindje ndaj këtij vendimi, të cilin e cilësoi si politik dhe të padrejtë.
Ai theksoi se dënimi i Salianjit nuk kontribuon në drejtësi, por përkundrazi, theksoi nevojën për reagim qytetar.
“Mosbindje ndaj ekzekutimit të vendimit, mosbindje civile. Ne nuk njohim vendimin e gjykatave politike, sepse ndërkohë që në retorikë ne e themi mosbindje civile dhe të pretendosh të njohësh vendimet e gjykatave me dënime të tilla politike atëherë ky është dorëzim. Grupi Parlamentar është pjesa politike më e pjekur e një partia dhe di të bëjë shumë mirë interpretimin e vendimeve dhe të mbajë qëndrimet e tyre.
Qëndrimet e tyre nuk janë militante, janë mendime të pjekura që janë të konsultuara dhe konsiderojnë qëndrimet e gjithë grupit parlamentar, në raport të të qenurit të tyre deputet dhe të qenurit në afërsi shumë të madhe me ligjin me njohjen e tij dhe me mënyrën se si duhet të ekzekutohet ligji.
Ky është një vendim politik dhe jo zbatim i ligjit. Është padrejtësi dhe kundër padrejtësisë duhet të ketë patjetër reagim. Do ketë aksione, mosbindja civile është kërkuar, ajo është bërë edhe herë të tjera nga qytetarët, ne duam mirëkuptimin e qytetarëve, sepse kjo duhet të bëhet në emër të një sakrifice më të madhe për të mos lejuar instalimin e një regjimi që vret, pushkaton fjalën e lirë dhe burgos kundërshtarët e tij politik”,-tha Luçiano Boçi.