Ish-drejtuesi i Forcave Operacionale, Oltian Bistri, ka bërë apel në Gjykatën e Lartë për të kërkuar zhbllokimin e pasurive të tij, të cilat u sekuestruan me urdhër të SPAK. Bistri, së bashku me familjarët e tij, ka paraqitur një rekurs që do të shqyrtohet nga gjyqtari Sokol Binaj.
Pasuria e sekuestruar përfshin 22 ambiente biznesi, 10 apartamente, një vilë, 200 metra truall në Tiranë, një garazh dhe një makinë. Bistri u arrestua në korrik 2023 gjatë operacionit “Metamorfoza”, në të cilin u arrestuan gjithashtu disa figura të tjera, përfshirë një biznesmen të njohur dhe drejtuesin e Prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita.