Një 33-vjeçar është arrestuar nga policia kufitare pasi ishte shpallur në kërkim për abuzim seksual me një vajzë 13-vjeçare. Shtetasi E. S. kishte marrë një masë sigurie “Arrest në burg” nga Gjykata e Durrësit në vitin 2023 për veprën penale “Marrëdhënia seksuale ose homoseksuale me të mitur”.
Ngjarja e dyshuar kishte ndodhur në gusht 2023 dhe ishte bërë publike në emisionin investigativ “Piranjat” më 13 shtator 2024. Policia, në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit”, e ndaloi 33-vjeçarin te pika e kalimit kufitar në Rinas, në momentin që ai po hynte në Shqipëri.
Materialet procedurale janë dorëzuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Durrësit për veprime të mëtejshme. Policia ftoi qytetarët dhe mediat të denoncojnë çdo paligjshmëri për të garantuar një reagim të shpejtë dhe të ashpër ndaj autorëve.