Pas betimit si kryebashkiak i Himarës, Vangjel Tavo dha intervistën e tij të parë, ku theksoi se Bashkia Himarë do të operojë pa ndasi politike. Ai u shpreh se qëllimi i tij është zgjidhja e problemeve të qytetarëve, duke e parë veten si “shërbëtor të parë” të komunitetit.
Tavo theksoi se është e rëndësishme që administrata të shërbejë për të gjithë qytetarët, pa dallim politik.
“E kam përmendur dhe në fushatë, se kryetari i çdo bashkie njihet ndryshe dhe si qytetar të parë, unë s’do ta quaj asnjëherë qytetar të parë, por shërbëtor të parë pasi do drejtoj duke shërbyer.
Mesazhi është që kjo bashki nuk do të ketë përkatësi politike, sepse Himara është një dhe e pandarë. Bashkia nuk meriton të ketë vetëm një kryetar, por një administratë të tërë që do të jetë në shërbim të qytetarëve. Janë të mirëpritur të gjithë t’u shërbejnë qytetarëve”, tha ai.
Një nga çështjet më të rëndësishme për banorët është ajo e certifikimit të pronave. Tavo njoftoi se synon të përfundojë këtë proces brenda pak muajsh, duke theksuar se tashmë janë dhënë mijëra certifikata pronësie.
“Çështjet që kanë qenë të kaluara, po ia lë të shkuarës. Sot është ditë e hënë dhe po e nisim si ditë punë për të trajtuar problematikat dhe shqetësimit e qytetarëve. Kur ekziston dëshira dhe vullneti dhe dëshira, çdo gjë ka zgjidhje. Një gjë do të jetë e sigurt, transparenca dhe përgjegjësia në menaxhimin e fondeve do të jetë çështja e parë dhe kryesore dhe e dyta ligjshmëria. Këto do jenë udhërrëfyes i Bashkisë”, tha Tavo.
Ai premtoi transparencë dhe përgjegjshmëri në menaxhimin e fondeve si udhërrëfyes për administratën e tij.