Policia ka arrestuar një 48-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje me armë zjarri, teksa po përpiqej të largohej nga Shqipëria.
48-vjeçari u kap në pikën kufitare të Morinës, ndërsa autoritetet kishin nisur një operacion të gjerë për lokalizimin dhe arrestimin e personave në kërkim. Ai dyshohet se, për shkak të një konflikti për motive të dobëta, kishte qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të një tjetër personi në lagjen nr. 8 të Durrësit, pa shkaktuar dëme.
Gjyqtarët e Durrësit kishin vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për të, për veprat penale “Vrasja me dashje, mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe municionit”. Materialet janë dërguar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Durrësit për hetime të mëtejshme.