Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Dje, dëshmoi Stamena Jeliq, dëshmitare e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), e cila foli përmes video-lidhjes. Ajo tregoi se në gusht 1999, bashkëshorti i saj, Marko Jeliq, u mor nga shtëpia në Rahovec nga pjesëtarë të UÇK-së dhe është i zhdukur që atëherë. Gjatë pyetjeve, ajo mohoi të kishte dhënë një deklaratë të mëparshme për MUP-in serb.
ZPS-ja njoftoi se ka edhe 65 dëshmitarë të tjerë për t’u thirrur dhe 54 dëshmi për t’u pranuar me shkrim, megjithatë ky numër mund të zvogëlohet. Ata besojnë se është e arritshme të përfundojnë çështjen deri më 1 prill 2025. Për të thjeshtuar procesin, ZPS-ja ka propozuar që të paktën 7 dëshmitarë të konvertohen në deklarata me shkrim ose të përjashtohen.
Diskutimet mes palëve përfshinë përshpejtimin e procedurave dhe aspektet e ardhshme, ndërsa trupi gjykues shpalli orarin e modifikuar për seancën e planifikuar më 21 tetor, e cila do të zhvillohet nga ora 13:00 deri në 16:30.