Aktori i njohur Julian Deda ka reaguar ashpër pas një interviste të dhënë nga kolegu i tij, Albano Bogdo, ku përdorte një fjalor të pahijshëm.
Në një postim në rrjetet sociale, Deda shprehet se ndihet i keqardhur që Bogdo ka arritur në një nivel të tillë të të folurit. Ai thekson se, pavarësisht se nuk është “ëngjëll“, ekrani kërkon një etikë të caktuar, dhe se Bogdo nuk ka nevojë të zbresë në këtë nivel, pasi ka talent dhe ka fituar publikun përmes humorit të tij.
“Kam parë shumë video virale të bëra kohët e fundit, ku në qendër të videove është kolegu im, që kam bërë humor. Me thënë të vërtetën më ka ardhur keq që e kam parë në atë derexhe fjalori, jo se unë jam ëngjëll në të folur, por ka një gjë, ekrani në përgjithësi ka një lloj etike. E kërkon një lloj etike, për të cilën unë tregoj kujdes.
Nuk jam kundër përmendjes së disa fjalëve tek tuk, aty ku shkon, rri fiks, por nëse bëhet qëllim në vetvete nuk është më art. Prandaj them që duhet të kemi shumë kujdes. Unë personin në fjalë e kam pasur koleg dhe e kam koleg, është shumë i talentuar, por kur e shikoj në këto lloj rrethanash them pse, arsyet pse është në këtë derexhe.
Ti vëlla nuk ke nevojë të shkosh në këtë lloj niveli sepse ti ke talent. E ke fituar publikun me talentin dhe humorin tënd. E kuptoj kur je nëpër lokale, ose ambiente më intime, por në televizion, ka etikë, aq më tepër orari kur transmetohet”, është shprehur aktori Deda.