Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti, komentoi protestën e opozitës më 7 tetor, duke theksuar se shqiptarët duhet të veprojnë si qytetarët e Berlinës dhe Parisit për të mbrojtur të drejtat e tyre.
Ai kritikoi përjashtimin e 24 deputetëve të PD nga seancat plenare dhe u shpreh se kjo është një shkelje e drejtësisë demokratike.
“Kush ua jep të drejtën këtyre të përjashtojnë deputetët deri në dy muaj? Ne merremi me estetikën, kur këtu nuk funksionon asgjë. Këtu kanë hallin e estetikës, e gjërave banale, në një kohë kur këtu kemi autokraci. Mua më shqetëson se si do të shkojë kombi shqiptar, jo këto gjërat estetike me sherre në Kuvend, që i kemi parë në plot vende. PD nuk e ka zgjedhur asnjëherë radikalizimin, ka folur, por nuk ka qenë radikale. Ku e merr kurajon që përjashton deputetët e opozitës, si mund të përjashtohen 24 deputetë, janë mijëra vota që këta deputetë përfaqësojnë”, tha Alizoti”, tha Alizoti.
Alizoti u shpreh se dënimi i Ervin Salianjit është një akt i papranueshëm për një demokrat që nuk ka menaxhuar kurrë pushtet, duke theksuar se opozita duhet të radikalizohet për të sfiduar qeverinë dhe për të ruajtur demokracinë në vend.
“Kemi liderin e opozitës që qëndron në arrest prej 1 viti, ndërkohë që dënohet një tjetër demokrat, që nuk ka menaxhuar asnjëherë pushtet. Pse nuk ndodh kjo në asnjë vend tjetër të Europës Lindore? Bëjeni këto në vendet e tjera, si thonë këta si mund të digjni këtu është djegur e ardhmja. E mbani mend atë këngën “Ju hëngsha zemrën” me të cilën bëri fushatën Edi Rama? Pse kjo është ajo që kanë nevojë shqiptarët.
Në një vend ku vrasësit me pagesë janë rrugëve, në një vend ku i pari i Bashkisë akuzohet për miliona pa fund, në një vend ku vidhet me PPP e tendera, ku ish-zv.Kryeministri flet për bëmat e këtij Kryeministri, jepet një dënim i papranueshëm për një djalë opozitar që s’ka bërë kurrë një tender. Opozita duhet të radikalizohet në qëndrimet e saj, opozita po sfidohet dhe duhet të sfidojë Qeverinë”, tha Alizoti.