Deputetja demokrate Albana Vokshi ka komentuar protestën e opozitës, duke e quajtur një revoltë qytetare. Në një intervistë në emisionin “Open” në News24, ajo shprehu se përdorimi i molotovëve ishte më e pakta ndaj atyre që kanë shkelur Kushtetutën.
Vokshi akuzoi Ministrin e Brendshëm për dhunë ndaj opozitës dhe tha se policia ka përdorur gaz lotsjellës në mënyrë të padrejtë, duke mbrojtur simbole të partisë në vend që qytetarët.
“Ministri i Brendshëm tha se është ushtruar dhunë ndaj institucioneve dhe Partisë Socialiste. Pra kemi një parti-shtet.
Ai qytetari që u plagos, z. Emiri u dëmtua nga molotovi që hodhi policia në drejtim të qytetarëve. Ne pa u afruar te Parlamenti u hodh gaz, pa pasur asnjë shkak.
Ne u sulmuam me gaz, ndërsa po afroheshim te Parlamenti. Policia ka hedhur gaz në mënyrë jo proporcionale. Nuk pati asnjë akt dhune, molotovët u hodhën në dyert e blinduara të Kryeministrisë, çfarë ndodhi? Pati dëme? Asnjë dëm.
Molotovi ishte më e pakta që mund të ndodhte ndaj atyre që ka grisur dhe shkelur Kushtetutën. Policia mbrojti një foto të Edi Ramës që po digjej, ndërkohë që nuk mbronte qytetarët”, tha Vokshi.