Ish-kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, ka ngritur dyshime mbi menaxhimin e Xhamisë së Namazgjasë, e cila pritet të përurohet nesër në Tiranë në praninë e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.
Ai kritikoi mungesën e kryetarit të KMSH-së, Bujar Spahiu, në këtë ceremoni, duke theksuar se ndihma e Turqisë për ndërtimin e xhamisë, e financuar nga donatorët turq, shoqërohet me një ndikim politik të padëshiruar.
“KMSH kishte mundësi atëherë që ta ndërtonte xhaminë edhe me donatorë të tjerë nga shtete të tjerë, por u zgjodh Turqia duke ditur se në vite janë mbledhur të ardhura nga myslimanët turq për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë dhe për shkak të një protokolli me Turqinë nënshkruar nga ish kryetari i ndjerë Haxhi Selim Muça dhe pastaj nga unë, Skënder Bruçaj, mbi një kontratë me Dianet, Komunitetin Mysliman të Turqisë”, tha ai.
Bruçaj vuri në dukje se ceremonitë fetare nuk duhet të përfshijnë qëllime politike, duke e parë këtë situatë si një ndërhyrje në çështjet e brendshme të komunitetit mysliman në Shqipëri.
Nënkryetari i KMSH-së, Taulant Bica, përkundrazi, theksoi se është e rëndësishme që xhamia të hapet dhe se përfaqësimi nga Myftiu i Tiranës është një zgjedhje që reflekton situatën aktuale. Bruçaj gjithashtu shprehu shqetësim se ndihma e jashtme mund të dëmtojë autonominë e KMSH-së.
“E rëndësishme është për ne që të inaugurohet kjo xhami dhe është dytësore pastaj pjesa tjetër që pse nuk është titullari numër 1, është dyshi, apo treshi. Pak rëndësi ka kjo. Rëndësi ka që ne kemi treguar vullnetin tonë që kjo xhami t’i fitohet besimtarëve sa më shpejt të jetë e mundur dhe pjesa tjetër pastaj është diçka formale dhe diçka që në bisedimet që kemi patur është arritur në këtë konkluzion”, tha zoti Bica.