Presidenti amerikan Joe Biden ka riplanifikuar vizitën e tij në Gjermani, e cila ishte anuluar javën e kaluar për shkak të uraganit Milton që goditi Shtetet e Bashkuara. Sipas burimeve nga qeveria gjermane, Biden do të arrijë në Berlin më 18 tetor.
Në fillim, ai pritej të mbërrinte në kryeqytetin gjerman më 10 tetor për një samit mbi luftën në Ukrainë në bazën ajrore amerikane në Ramstein. Anulimi i udhëtimit shkaktoi gjithashtu anulimin e këtij samiti, i cili do të diskutonte angazhimet e reja të ndihmës për Ukrainën.
Gjatë vizitës, Biden do të takohet me kancelarin Olaf Scholz dhe presidentin Frank-Walter Steinmeier. Ndërkohë, ai do të monitorojë pasojat e uraganit Milton në Floridë dhe do të kërkojë miratimin e financimeve shtesë për emergjencat nga Kongresi.