Në jubileun e 10-vjetorit të Samitit të Berlinit pritet miratimi i planit të ri për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe një marrëveshje për lehtësimin e studimeve në vendet e rajonit.
Kancelari gjerman Olaf Scholz pret sot në Kancelarinë Federale kryetarët e shteteve dhe qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe ministrat e Jashtëm dhe të Ekonomisë, në kuadër të Procesit të Berlinit. Përveç gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, marrin pjesë gjithashtu vendet partnere, përfaqësues të Bashkimit Evropian.
Marrëveshje të reja për bashkëpunim rajonal dhe lëvizshmëri
Siç bëhet e ditur nga qarqe qeveritare në Berlin, në qendër të samitit qëndron nënshkrimi i një marrëveshjeje që përfshin shkëmbimin e studentëve dhe lehtësimin e qasjes në institucionet arsimore të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo marrëveshje synon të thjeshtojë njohjen reciproke të kualifikimeve akademike dhe diplomave universitare, duke lehtësuar mobilitetin e studentëve dhe mundësitë e tyre për të studiuar në universitetet e vendeve të tjera të rajonit.
Gjithashtu, pritet të miratohet një plan i ri veprimi për Tregun e Përbashkët Rajonal, i cili synon të harmonizojë standardet sociale dhe të punës, si dhe të lehtësojë qarkullimin e mallrave, shërbimeve dhe njerëzve brenda rajonit. Burime nga qeveria gjermane kanë raportuar se një çështje tjetër që do të diskutohet është zhbllokimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), që pritet të përforcojë më tej bashkëpunimin tregtar në rajon.
Takime përgatitore dhe rezultatet paraprake
Para samitit janë zhvilluar disa takime të ministrore, ku janë trajtuar një sërë temash për të thelluar bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Kështu për shembull, në takimin e ministrave të Brendshëm u diskutua për bashkëpunim kundër migracionit të paligjshëm dhe krimit të organizuar, në takimin e ministrave të Ekonomisë u diskutua për transformimin energjetik të vendeve të rajonit dhe eliminimin e barrierave tregtare. Ministrat e Jashtëm ranë dakord për përmirësimin e standardeve për investimet e huaja dhe marrëdhëniete fqinjësisë së mirë. Po ashtu ka pasur dakordime për përmirësimin e gjendjes së romëve dhe harmonizimin e legjislacionit në çështjet gjinore. Në samit do të diskutohen edhe rekomandimet e dala nga Forumi i Shoqërisë Civile dhe Forumi rinor, të cilat po zhvillohet paralelisht me takimin e nivelit të lartë në Berlin.
Procesi i Berlinit, i krijuar në vitin 2014 për të mbështetur procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, është një nismë e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel./DW