Presidentja Vjosa Osmani theksoi se kërkimi për drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë duhet të vazhdojë pa u ndalur. Gjatë një konference të organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ajo nënvizoi rëndësinë e përgjegjësisë për krimet e kryera.
“Duhet të luftojmë që historia të mos përsëritet. Padrejtësitë nuk duhet asnjëherë të kalojnë në heshtje dhe pa i bërë fajtor përgjegjësit për krimet e bëra. Andaj lufta jonë e përbashkët duhet të jetë për drejtësi. Kjo betejë kërkon këmbëngulje dhe guxim te jashtëzakonshëm”, ka thënë ajo.
Osmani e përmendi Vasfije Krasniqin si një simbol të forcës dhe guximit të të mbijetuarve, duke shprehur mbështetje të vazhdueshme për ata që kanë vuajtur. Ajo pranoi se duhet bërë më shumë për të siguruar që çdo i mbijetuar të ndiejë mbështetje nga shteti.
“Vasfija ka arritur të përçojë zërin e fuqishëm dhe të guximshëm të të mbijetuarve në Kosovë dhe në botë. Faleminderit që keni arritur qe këtë dhimbje të Kosovës ta shndërroni në mesazh sensibilizimi. Keni arritur ta dëshmoni gjithkund në botë se ata qe kanë menduar ta çnderojnë Kosovën nuk kanë arritur asnjëherë se ju jeni krenaria dhe vetë nderi i Kosovës. Mbështetja jonë për ju nuk do te ndaletm por do të rritet dhe do të vazhdojë”, ka deklaruar presidentja.