Aeroporti i Birminghamit është evakuuar dhe të gjitha fluturimet janë pezulluar pas raportimeve për një automjet të dyshimtë.
Policia e West Midlands njoftoi se kjo masë po merret si një masë paraprake për sigurinë e pasagjerëve dhe stafit.
Në një postim në mediat sociale, aeroporti theksoi se forcat e policisë janë në vend dhe po merren me incidentin. “Policia e West Midlands po merret me një incident të vazhdueshëm në ambientet e aeroportit. Operacionet e aeroportit janë prekur dhe udhëtarët këshillohen të shmangin zonat e nisjes për momentin,” u tha në njoftimin e aeroportit, sipas Sky News.
Zëdhënësi i aeroportit njoftoi se informacionet do të përditësohen përmes mediave sociale. Udhëtarët që kanë fluturime këtë pasdite janë të këshilluar të kontaktojnë linjën e tyre ajrore dhe të kontrollojnë faqen zyrtare të aeroportit për informacion të ri.