-sidi education-spot_img
9.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Tafa: Sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë vijnë prej Iranit dhe grupeve ruse

Kryesoret

Drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Igli Tafa, foli sot për një seri ndërhyrjesh kibernetike disinformuese me burim nga Irani dhe grupe të lidhura me Rusinë ndaj infrastrukturave kritike të Shqipërisë sa herë që ka trazira në Ballkanin Perëndimor dhe në Kosovë.

“Disinformimin ne e marrim kryesisht nga shteti islamik i Iranit dhe grupe të lidhura me Rusinë, gjithmonë kur ka një trazim në Ballkanin Perëndimor, e sidomos kur ato kanë të bëjnë me veriun e Kosovës, dhe kjo shoqërohet gjithmonë me propagandë dhe me sulme kibernetike grupesh ruse”, tha zoti Tafa.

Ai i bëri këto komente në një dëgjesë para komisionit të posaçëm parlamentar për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të Shqipërisë, ku foli për zhvillimet kibernetike brenda vendit.

Zoti Tafa tha se Autoriteti Kombëtar dhe operatorët e Shqipërisë janë ndeshur me 49 sulme vitin e kaluar dhe me 20 sulme këtë vit, nga të cilat nuk janë menaxhuar plotësisht vetëm 2 raste vjet dhe dy raste sivjet.

Ai përmendi sulmin ndaj INSTAT-it më 1 shkurt të këtij viti “i orkestruar nga shteti islamik i Iranit”, dhe propaganda që u përhap sikur “ishte prekur Censusi dhe të dhënat e qytetarëve”, e cila nuk ishte e vërtetë.

Zoti Tafa renditi një tjetër sulm kibernetik nga shteti Islamik i Iranit ndaj një banke të nivelit të dytë në fund të vitit 2022, kur u përhap paniku sikur ajo kishte falimentuar dhe nuk mund të tërhiqeshin më lekët atje nga qytetarët, një tjetër lajm i rremë.

“Çdo sulm kibernetik shoqërohet me lajme të rreme. I tillë ishte lajmi në fund të qershorit, që quhej “Bloody June” nëpërmjet portalit Homeland Justice në Telegram, ku propagandohej se qershori do të ishte i përgjakshëm, se do të kishte shkatërrim në masë të gjithë infrastrukturave kritike, për të cilën ne morëm të gjitha masat dhe 160 infrastrukturat kritike nuk patën asnjë problem, përveç dezinformimit. Një tjetër rast ishte publikimi i të dhënave ID të qytetarëve në Homeland Justice, që pretendohej sikur ishte një sulm aktual, por në fakt ishin të dhëna të vjetra që i përkisnin viteve 2013 dhe 2019”, detajoi zoti Tafa.

Drejtuesi i AKSK-së tha se për shkak të besimit në rritje tek institucioni, denoncimi i problemeve nga operatorët tek Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike është më shumë se 400 për qind se një vit më parë.

“Kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me partnerët tanë të SHBA-ve dhe të BE-së, Italia, Rumani, Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, NATO, OSBE, OKB. Jemi pjesë e forumit CRI, Counter Ransomware initiative, një iniciativë nga administrata Biden, ku Shqipëria drejton një nga shtyllat e saj dhe për të cilën u lavdëruam edhe në deklaratën publike të nxjerrë nga Shtëpia e Bardhë”, tha zoti Tafa.

Ai përmendi edhe lajmin krejt të pavërtetë të portaleve dhe rrjeteve sociale sikur paneli i një piloti të Air Albania ishte marrë nën kontroll nga hakerat, si dhe lajmin e rremë sikur infrastrukturat e policisë ishin sulmuar.

Zoti Tafa shtoi se në spiunazhin teknologjik vetëm në janar – gusht të këtij viti janë vërejtur 600 raste të rrjedhjes së informacionit nga infrastrukturat kritike dhe në nivel qytetarësh mbi 5 mijë e 600 raste./ VOA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit