Pas takimit me shqiptarët në Selanik, kryeministri Edi Rama mbajti një konferencë për shtyp për mediat greke, ku trajtoi çështjet e pronave në Himarë, minoritetin grek në Shqipëri dhe situatën e Fredi Belerit.
“Para së gjithash, besoj se ka një keqkuptim total për pronat në Himarë, dhe ka shumë dezinformata në lidhje me çështjen e pronës, sepse nuk ka një gjë të tillë si problem specifik të pronave atje. Ka një çështje në gjithë Shqipërinë për pronat, të cilën po e përballojmë çdo ditë dhe po përparojmë. Dhe në fakt me kryebashkiakun e ri të Himarës po bëjmë shumë punë të mirë dhe brenda pak javësh do të përfundojmë regjistrimin e të gjitha shtëpive në të gjithë bashkinë. Kështu që gjithçka që kam lexuar, dhe kam lexuar shumë marrëzi në mediat greke për shpronësimet, apo disa devijime, nuk bazohen në fakte.Kjo është thjesht propagandë”, është shprehur kryeministri Rama lidhur me pyetjet për pronat në bashkinë e Himarës.
Rama gjithashtu diskutoi marrëdhëniet me Greqinë, duke e vlerësuar Kryeministrin Mitsotakis si një lider të moderuar dhe duke shprehur dëshirën për të forcuar bashkëpunimin mes dy vendeve.
Ajo që ndodhi nuk e ndryshon pikëpamjen time se Kyriakos është një lider shumë modern i Greqisë dhe unë e shoh atë si një person shumë inteligjent. Shumë i arsimuar, politikan shumë i zoti.Kështu që unë kam për të veç respekt dhe miqësi dhe ne jemi miq.Unë e konsideroj atë një mik të mirë. Sigurisht që ai është kryeministri i Greqisë dhe unë jam kryeministër i Shqipërisë dhe në këto poste mbizotërojnë interesat kombëtare apo çfarëdo që ju konsideroni interesa kombëtare mbi miqësinë dhe kështu është, por nuk shoh asnjë problem nga ana ime për të forcuar më tej këtë marrëdhënie me Greqinë”, ka deklaruar Rama.
Në lidhje me çështjen e Belerit, ai theksoi se sistemi i drejtësisë është i pavarur dhe se nuk mund të ketë ndërhyrje nga asnjë qeveri.