Liderët e Francës, Gjermanisë dhe Polonisë kanë shprehur shqetësimin e tyre të enjten për gjendjen politike në Gjeorgji.
Disa mijëra gjeorgjianë kanë dalë nëpër rrugët e Tbilisit për të protestuar gjatë kësaj jave kundër rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të muajit të kaluar, duke e akuzuar partinë në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, për vjedhje votash.
Partia e miqësuar me Moskën, Ëndrra Gjeorgjiane – cila është në pushtet që nga viti 2012 – tha se i fitoi 54 për qind të votave.
As presidentja proevropiane e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, nuk e pranon rezultatin e zgjedhjeve, duke thënë se ka pasur manipulime të mëdha dhe ndërhyrje nga Rusia.
Në një komunikatë të përbashkët, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz, dhe kryeministri polak Donald Tusk, thanë se nuk mund ta mbështesin hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkim Evropian për Gjeorgjinë, nëse vendi nuk bën reforma.
“Nëse Gjeorgjia nuk largohet nga kjo rrugë që ka ndërmarrë dhe nuk dëshmon se po bën përpjekje të qarta për reforma, posaçërisht duke shfuqizuar legjislacionin rishtazi që bie ndesh me vlerat dhe parimet evropiane, atëherë ne nuk do të jemi në gjendje ta mbështesim hapjen e negociatave për anëtarësim me Gjeorgjinë”, thanë ata.
Ata e lëshuan këtë komunikatë mëngjesin e së enjtes, në ditën kur gati 50 liderë evropianë do të mblidhen në Budapest për bisedime dyditore rreth mbështetjes për Ukrainën, emigracionin dhe sigurinë ekonomike./REL