Të dielën në orën 17:00, Gugash Magani do të nisë aventurën e tij të dytë në krye të Tiranës, ku do të udhëheqë bardheblutë në përballjen me Bylisin. Fitorja është e detyrueshme për të dhe skuadrën, pasi Tirana ka pasur rezultate të dobëta deri tani, duke e bërë këtë ndeshje të rëndësishme për shpëtimin e situatës.
Në këto kushte të vështira, trajneri peqinas duhet të drejtojë skuadrën për të marrë tri pikë, pasi humbja ose barazimi do ta komplikonin më tej gjendjen. Tiranën e pret një kalendar i ngjeshur, ku pas Bylisit ka përballje me Elbasanin dhe derbin.
Një tjetër risi është se sfida do të luhet në stadiumin e Durrësit, pas një periudhe që Tirana ka ndryshuar vazhdimisht stadiumet për shkak të kushteve të impianteve në kryeqytet. Të fundit e fituar nga Tirana ndaj Bylisit ishte në janar 2023, kur bardheblutë triumfuan 4-1.