Në ndeshjen e Ligës së Kombeve ndërmjet Zvicrës dhe Serbisë, që përfundoi me barazim 1-1, ka shpërthyer një tjetër episod i huliganizmit të tifozëve serbë. Gjatë ndeshjes, disa tifozë të Serbisë kanë djegur flamurin shqiptar në tribunat e stadiumit të Zyrihut, një ngjarje e përsëritur që ka shkaktuar shqetësim për sigurinë dhe sjelljen e tifozëve.
Përveç djegies së flamurit, ka pasur edhe përplasje mes tifozëve shqiptarë dhe serbë, pas një konflikti verbal që eskaloi. Sipas të përditshmes serbe “Danas”, nuk ka pasur të lënduar, por mediat serbe raportojnë se incidentet kanë përfshirë hedhje objektesh, shpërthime kapsollash dhe flakadanësh, si dhe dëme materiale në stadium.
Federata Serbe e Futbollit është tashmë nën vëzhgim dhe është e dënuar me kusht për ngjarje të ngjashme që ndodhën në ndeshjen e mëparshme në Leskovac. Pritet që ndeshja e ardhshme e Serbisë ndaj Danimarkës të zhvillohet pa tifozë, si pjesë e masave disiplinore.
Mediat në Beograd shprehin shqetësimin për sjelljen e tifozëve serbë dhe paralajmërojnë se UEFA do të duhet të ndërmarrë hapa të mëtejshëm për të parandaluar përhapjen e huliganizmit në ndeshjet ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, shprehu zhgënjim për rezultatet e fundit të ekipit të tij, duke theksuar se, megjithatë, Zvicra ishte ekipi më i mirë në fushë kundër Serbisë dhe se kishte mundësi për të shënuar më shumë gola.
Aktualisht, Serbia ndodhet në vendin e tretë në grup me 5 pikë, ndërsa Zvicra mban vendin e fundit me vetëm 2 pikë.