Një operacion i gjerë i Guardia di Finanza në Itali ka çuar në shkatërrimin e një organizate ndërkombëtare trafiku droge, e cila përfshinte edhe shqiptarë. Pas hetimeve të gjera të koordinuara nga DDA e Milanos, janë arrestuar 20 persona, përfshirë disa shtetas shqiptarë, të akuzuar për trafikun e drogës dhe pastrimin e parave.
Hetimet kanë zbuluar se kjo organizatë kishte ngritur një operacion të madh të trafikut të kokainës, me dërgesa që kontrolloheshin nga bazat në Amerikën e Jugut, dhe shpërndarjen e marijuanës nga Maroku dhe Spanja. Sipas hetimeve, kjo grupi ka importuar dhe shpërndarë mbi 1 ton kokainë, 1 ton marijuanë dhe 173 kilogramë heroinë.
Disa shqiptarë janë identifikuar mes të arrestuarve, duke përfshirë Saimir Bilacaj, Alban Begeja, Gletian Tota dhe Tonio Prendi. Bilacaj ishte i kërkuar nga autoritetet italiane për trafikimin e 110 kg kokainë nga Belgjika dhe u arrestua në Shëngjin me dokumente të falsifikuara. Begeja ishte arrestuar më parë në Shqipëri për mbajtjen e armëve të zjarrit.
Gjatë operacionit, janë sekuestruar 250 kg drogë dhe një shumë prej 800 mijë eurosh. Autoritetet italiane kanë zbuluar gjithashtu se organizata kishte lidhje me grupet e krimit të organizuar në Kalabri, si dhe përdorte metoda të sofistikuara për të shmangur hetimet, përfshirë përdorimin e “bankave nëntokësore” për transferimin e parave.