Çmimi i biletës së transportit urban nuk do të rritet. Kërkesës së operatorëve për dyfishim të çmimit për shkak të mospërballimit të kostove, Bashkia e Tiranës iu është përgjigjur me dhënie subvencionimi deri në 10 lekë për çdo biletë të shitur. Sipas operatorëve, përfshirë TVSH-në vlera e kompensimit arrin në 12 lekë për biletë.
Sot në mbledhjen e këshillit Bashkiak do të shqyrtohet për miratim projektvendimi i propozuar nga Bashkia e Tiranës “Mbi përcaktimin e tarifave të transportit publik qytetas në bashkinë e Tiranës, mënyrën dhe rregullat që do të ndiqen për subvencionimin dhe kompensimin e tyre”.
Së pari, projektvendimi parashikon subvencionim për operatorët e transportit urban në vlerën 10 lekë për biletat njëpërdorimshme.Së dyti, Bashkia e Tiranës ka propozuar kompensimin 100% ndaj operatorëve për abonetë falas që shpërndan për studentët dhe për pensionistët që nis nga 1 janari 2024. Për shpërndarjen e aboneve falas për studentët përgjatë periudhës nga muaji tetor deri në qershor, aktualisht Bashkia e Tiranës i kompenson operatorët në vlerën e 600 lekë për abone nga 1,600 lekë që është çmimi i saj.(lexo KËTU për më shumë)