Sot po mbahet dita e dytë e Kuvendit Kombëtar për Gjuhën Shqipe ku u prezantua Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe. Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu në fjalën e saj u shpreh se Fjalori i Gjuhës Shqipe është një thesar fjalësh dhe një dëshmi e kulturës shprehimore dhe rrugëtimit të gjuhës shqipe.
“Në datën 22 nëntor, ne kujtojmë një nga momentet më domethënëse të historisë sonë kombëtare, Kongresin e Manastirit. Sot, 116 vite më pas, përmes këtij fjalori, ne vijojmë të përmbushim atë mision të rilindësve për ruajtjen e identitetit dhe forcimin e gjuhës sonë amtare. Ky fjalor është më shumë se një thesar fjalësh. Është një dëshmi e kulturës sonë shprehimore dhe e rrugëtimit të gjuhës shqipe. Me rreth 120 mijë fjalë, ky fjalor përfaqëson një arkiv të gjallë të trashëgimisë sonë gjuhësore dhe një mjet të fuqishëm për studiuesit, nxënësit dhe çdo përdorues të gjuhës shqipe.” tha Manastirliu.