Këtë javë, vendi ynë do të ndikohet kryesisht nga kushte të qëndrueshme atmosferike, falë një qarkullimi anticiklonar të masave ajrore me origjinë jugore. Kjo është një situatë relativisht e pazakontë për këtë periudhë të vitit.
Megjithatë, sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, duke filluar nga orët e vona të ditës së enjte dhe gjatë ditës së premte, pritet kalimi i disa masave ajrore të ftohta dhe të lagështa që do të sjellin mot të vranët dhe reshje shiu.
Për pjesën e parë të javës, nga e hëna deri në orët e vona të ditës së enjte, moti do të jetë kryesisht i kthjellët, me vranësira kalimtare. Gjithashtu, do të ketë një rritje të temperaturave, sidomos në orët e mesditës.
Në orët e vona të mbrëmjes të ditës së enjte dhe gjatë ditës së premte, moti do të jetë me vranësira mesatare deri të dendura dhe intervale të shkurtra me diell. Vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme, me intensitet të ulët deri në mesatar. Në disa zona, veçanërisht në ultësirën perëndimore dhe verilindore, reshjet mund të jenë më intensive. Për më tepër, në Alpe dhe verilindje, në lartësitë mbi 1000-1200 metra, priten reshje dëbore.