Efektivët e forcave elite të policisë shqiptar dhe asaj gjermane për pesë ditë kanë zhvilluar stërvitje për zgjidhjen e një situate pengmarrje në aeroportin “Nënë Tereza”.
Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e Repartit Special RENEA, Proda vlerësoi bashkëpunimin me partnerët gjermanë dhe theksoi se kjo stërvitje do t’i shërbejë shumë efektivëve të RENEA-s, për rritjen e kapaciteteve të tyre profesionale, të cilat do t’i përdorin në zgjidhjen e situatave të vështira në të ardhmen. Ai siguroi që Policia e Shtetit është një partnere serioze, profesionale dhe e besueshme për të zhvilluar bashkërisht me partnerët gjermanë, hetime dhe veprime operacionale në luftën e pandërprerë kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve të paligjshme.
Ndërsa Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri Karlfried Bergner vlerësoi mikpritjen dhe stërvitjen e përbashkët dhe theksoi se tashmë ndihet më i sigurtë në Shqipëri.
Komandanti i Repartit Special RENEA Altin Dardha dhe Komandanti i Repartit Special GSG9 Kolonel Robert Hemmerling vlerësuan stërvitjen e efektivëve të dy forcave elitë, e cila është një dëshmi e bashkëpunimit dhe besimit të ndërsjellë mes policive të dy vendeve.