Deputeti i Bundestagut gjerman, Thomas Hacker, ka dënuar ashpër shpërthimin terrorist të ndodhur në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok, duke e cilësuar atë si një sulm të stilit rus. Hacker theksoi se ky akt kriminal kërkon një hetim të plotë dhe vendosjen e përgjegjësve para drejtësisë.
“Është turp që organizatori i agresionit në Banjskë, Milan Radoiçiç, vazhdon të shijojë lirinë e tij në Serbi”, shkroi Hacker në platformën sociale “X”.
Në reagimin e tij, Hacker e krahasoi këtë sulm me veprimet e Rusisë në Ukrainë, duke theksuar se sulmi ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës është një çështje që kërkon vëmendje të veçantë dhe informacion të plotë.
Pas incidentit, autoritetet kosovare dhe ambasadorët e QUINT-it reaguan menjëherë, duke dënuar sulmin dhe kërkuar që autorët të vihen para drejtësisë sa më shpejt.