Në një aktivitet të organizuar në Bolonja me komunitetin shqiptar dhe arbëresh në Itali, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, theksoi nevojën për të shfrytëzuar çdo mundësi për të forcuar lidhjet dhe ndërtuar ura bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Italisë.
Begaj u shpreh se çdo takim është një mundësi e re për të përforcuar marrëdhëniet dhe krijuar lidhje të reja.
“Shqipëria ka nevojë për të gjithë shqiptarët, kudo ku ndodhen”, theksoi Kreu i Shtetit, duke u zotuar “si President i Shqipërisë, dua t’ju siguroj se do të mbështes çdo nismë që forcon lidhjet midis arbëreshëve, shqiptarëve dhe Italisë, që ruan dhe promovon vlerat demokratike, identitetin tonë, dhe që kontribuon për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë dhe një të ardhme bashkëpunimi të shkëlqyer mes Shqipërisë dhe Italisë”