E Ngarkuara me Punë e SHBA-vë në Tiranë, Nancy VanHorn nga Vlora theksoi rëndësinë e angazhimit të komunitetit për të ndërtuar besimin publik, për të përforcuar përpjekjet vendore për zbatimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. VanHorn deklaroi se Reforma në Drejtësi është një tjetër angazhim i rëndësishëm për Shqipërinë, në të cilin kanë ndikim të gjithë aktorët, nga ata politikë, social dhe shoqëror.
“Për mua, është me të vërtetë një shenjë shprese për të ardhmen e Shqipërisë që ka kaq shumë të rinj, studentë të drejtësisë, me kolegë nga forcat e rendit, ku mund të flasim për rolin e zbatimit të ligjit në komunitetin tuaj.
Në udhëtimin për në Vlorë këtë mëngjes, po flisja me një nga kolegët e mi nga ambasada dhe tema e diskutimit tonë, ishte: Si mund ta ndihmojmë Shqipërinë të ndërtojë një kulturë të vërtetë integriteti dhe një kulturë ku sundon ligji?
Jo vetëm në universitete, jo vetëm në zyrat e policisë, por të jetë pjesë e asaj që bëjmë çdo ditë. Sepse janë vendimet e përditshme që merrni ato që e ndërtojnë këtë kulturë.
Dhe puna e tyre është e rëndësishme për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE dhe për ta sjellë atë në përputhje me standardet evropiane.
Reforma në drejtësi është punë e të gjithëve, nuk është vetëm SPAK. Kështu që unë do t’ju inkurajoj se si mund të përshtateni dhe çfarë mund të bëni në këtë aspekt. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë me ju në këtë rrugëtim”, tha ajo.