Gjykata Speciale të enjten ka arrestuar ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isni Kilaj. Specialja nuk ka dhënë detaje për arrestimin. Kilaj qe arrestuar edhe në nëntor të vitit të kaluar nën dyshimin për pengim të drejtësisë.
Në maj të këtij viti, ai u lirua nën kushte të rrepta, por vazhdoi të ngelte si i dyshuar. Si kusht paraprak për lirim e pati shumën prej 30 mijë eurosh të cilën duhej t’ia jepte administratores si garanci financiare.
Në korrik, Zyra e Prokurorit të Specializuar e kishte paraqitur aktakuzën e ndryshuar ndaj tij. Kilaj u arrestua nën dyshimin se ka kryer veprat penale “pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare” dhe “shkelje e sekretit të procedurave”. Ai ka qenë edhe kryetar i Malishevës.