Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka shpallur fajtorë Ardian Korrikun dhe Irisa Pucën, të akuzuar për mashtrim kompjuterik nëpërmjet Call Center-ave. Të dy ata janë dënuar me 6 vjet e 8 muaj burgim, pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar.
Korriku dhe Puca ishin pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, i cili realizonte mashtrime online nëpërmjet platformave të paligjshme, duke synuar viktima kryesisht në Austri dhe Gjermani. Aktiviteti kriminal kishte lidhje me kompani të ndryshme që operonin në Shqipëri dhe disa shtete të tjera.
Prokuroria e Posaçme ka zbuluar se paratë e fituara nga ky aktivitet kalonin përmes llogarive bankare dhe valutave virtuale. Gjatë hetimeve, janë identifikuar edhe llogari bankare dhe pasuri që i përkisnin personave të përfshirë, duke përfshirë një shumë prej mbi 2.2 milionë euro dhe 2.8 milionë lekë. Hetimet përfshijnë edhe persona të tjerë, shqiptarë dhe të huaj, për të cilët ende vazhdojnë hetimet.