Myrto Uzuni, u fut në historinë e klubit spanjoll Granada, si golashënuesi më i mirë i huaj, me 46 gola të shënuar.
Duke folur për këtë rekord të arritur, në Klan News me gazetarin Besard Jacaj, sulmuesi shqiptar u shfaq shumë i lumtur, duke thënë se është shpërblim i punës së palodhur nga ai.
Uzuni deklaroi se Spanja është ndryshe nga vendet e tjera dhe aty ku ka xhelozi për sukseset e një lojtari.
“Gjithë golat e shënuar vijnë nga një punë e palodhur. Kam dhënë gjithmonë maksimumin, me idetë e qarta. Jam shumë krenar për veten time. Kur kam ardhur te Granada, në ditën e parë të stërvitjes, iu kam thënë se do të bëhem lojtari më i mirë i klubit. Ma pa pak çuditshëm, por tani presidenti më ka uruar.
Këtu është shumë ndryshe. Në Spanjë, njerëzit nuk kanë xhelozi. Janë të lumtur për arritjet në klub. Të gjithë janë të lumtur me paraqitjet e mia. Spanja është ndryshe nga Shqipëria. Këtu xhelozia nuk ka vend, sepse fusha është treguesi më i mirë.
Unë synoj këtë vit të shënoj 25 gola dhe të ngjitem me ekipin e Granadës në La Liga. Është ëndërr të luash aty me ekipe si Barcelona dhe Real Madrid.”
Uzuni tregoi edhe sakrificat që ka kaluar në jetë, për të mbërritur deri këtu, ku është kthyer në një nga lojtarët më të përfolur të momentit. Sulmuesi kujton të kaluarën, duke thënë se dikur familja e tij nuk kishte 4 mijë lekë, për t’i paguar fugonin për Lushnjë, që të luante me të rinjtë e Beratit.
“Futbolli nuk është aq i lehtë sa shihet në TV. Unë sakrifikoj shumë për të arritur deri këtu. Në Shqipëri nuk kam pasur ekonomi të mirë dhe familja ka sakrifikuar. Kemi emigruar, për t’ia dalë. Kemi sakrifikuar të gjithë për shtëpinë. Unë asnjëherë nuk harroj nga ku kam ardhur. E vlerësoj gjithmonë kohën që kam në dispozicion. Ka qenë një udhëtim i vështirë në jetën time.
Sakrifica më e madhe e familjes sime, është se nuk kanë pasur as 4 mijë lekë për të shkuar deir në Lushnjë, për të paguar fugonin për të shkuar me ekipin e të rinjve të Beratit. Familja nuk i kishte mundësitë, më shihnin duke qarë dhe e përjetonin më keq. Tani ato lekë nuk janë asgjë për mua. Tani familja ime i ka të gjitha kushtet dhe ndihem krenar për ta. Ka shumë njerëz që nuk ma kanë hapur derën, por ka edhe njerëz që më kanë ndihmuar.”
I pyetur për Kombëtaren, Uzuni theksoi se edhe lojtarët e tjerë kuqezi, janë të lumtur për këtë arritje të tij, ndërsa shtoi se ofertat në merkato nuk i kanë munguar kurrë.
“Çunat e Kombëtares janë të lumtur për këtë sukses që kam arritur. Edhe unë ndihem mirë, sepse Duka më uroi publikisht. Nuk ka vend për xhelozi. Jemi të gjithë të luajtur. Jam shumë i lumtur për veten time, që vij nga Shqipëria.
Në çdo merkato kam pasur oferta zyrtare. Kur shënon gola, tërheq vëmendjen, sepse mungojnë sulmuesit që shënojnë gola këto kohë. Kam pasur oferta nga La Liga dhe nga Serie A. Kam pasur një klauzolë prej 25 milionë eurosh te Granada. Objektivi im është që të shënoj 25 gola dhe të ngjitem në La Liga. Pastaj të shohim se çfarë do të ndodhë.
Unë jam lojtar që flas në fushë. Trajneri i merr vendimet. Unë mund të respektoj vendimet e trajnerit, kaq mund të them. Të gjithë janë ndjerë krenarë në Europian. Në shqiptarët e ndjejmë shumë kombin. I gjithë rrugëtimi deri në Europian, ka qenë një sukses i madh. Gjithmonë ka vend për përmirësim. E mira nuk ka fund asnjëherë. Nuk duhet të kënaqemi me pak. Futbolli ka ndryshuar, të gjitha ekipet mund të surprizojnë. Shanset për Botërorin janë aty dhe duhet të shfrytëzojmë mundësitë që do të na jepen”, u shpreh Uzuni./ tv klan