Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se protesta e paralajmëruar për 23 dhjetor do të jetë një ngjarje masive dhe synon të bllokojë plotësisht Tiranën nga të gjitha drejtimet. Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar, Berisha theksoi se kjo protestë është pjesë e një aksioni të mosbindjes civile.
Ai shprehu besimin se protesta do të jetë më e fuqishmja që ka ndodhur ndonjëherë në Tiranë, duke e cilësuar atë si një akt të rëndësishëm për lirinë dhe kundërshtimin e diktaturës.
“Më datën 23 dhjetor, ditën e hënë në ora 17.00, kemi mosbindjen civile më të fuqishmen që ka parë Tirana ndonjëherë. Mbarë bota mezi pret këtë akt, këtë mosbindje E kanë pëlqyer shumë, kudo në botë. U them unë juve. Se një gjë duhet ta dini. Atë ndihmë që na ka dhënë ne shtypi ndërkombëtar, nuk i dalim borxhit kurrë.
Dhe ta dini që, ka gazetarë të cilët kanë humbur vende për shkrimet që kanë bërë. Janë treguar të mëdhenj. Janë treguar njerëz të lirë, dhe mirënjohja jonë është e pakufishme ndaj tyre. Ndaj dhe, e keni parë ju vet se me ç’pasion i paraqesin mediat e botës protestat tona, sepse janë anti-diktaturë, sepse janë për liri. Nuk mund të ndodhtë ndryshe.
Ndaj dhe kjo mosbindje, Tiranën nga Qafë Priska gjer në Vorë duhet ta bllokojmë plotësisht, totalisht nga të gjitha drejtimet. Jam i sigurt se, ju do të mobilizoni të gjithë potencialet që kemi për të bërë një nga mosbindjet civile më të shkëlqyera, më të fuqishmet që kemi realizuar ndonjëherë.
Do të jetë një skenar shumë i ngjeshur dhe i fortë. Unë do të jem patjetër atje. Skenari i protestës së 23 dhjetorit do komunikohet sapo të finalizohet. Do jetë një skenar shumë i ngjeshur dhe i fortë. Unë do jem patjetër”, u shpreh Berisha