Policia greke ka zbuluar lidhjet e 47-vjeçarit shqiptar Irakli Davella, i ekzekutuar së fundmi në Athinë, me një tjetër person të vrarë vitet e fundit. Bëhet fjalë për biznesmenin grek Jorgo Mitsou, pronarin e një karburanti, i cili u qëllua për vdekje në qershor 2022 në zonën e Gerakas. Burimet raportojnë se Mitsou frekuentonte lokalin e Davellës në Peristeri dhe kishte miqësi me të.
Lidhja e Davellës me Mitsoun nuk ka habitur hetuesit, pasi edhe Mitsou ka qenë pjesë e grupit të mafiozit grek Manolis Karagiannis, i vrarë në vitin 2018. Kjo lidhje vë në pah se Davella ka pasur lidhje me të paktën 4 anëtarë të vrarë të ashtuquajturës “Greek Mafia”, përfshirë Karagiannis, Vasilis Grivas, Jorgos Litsas dhe Mitsou.
Hetimet e policisë janë përqendruar në mundësinë që vrasjet e mëparshme të lidhen me ekzekutimin e Davellës. Megjithatë, ka shumë dyshime mbi të kaluarën kriminale të Davellës, pasi ai ka pasur një histori prej 13 vitesh me arrestime për aktivitete të tilla si gjobëvënia dhe falsifikimi. Ai ishte arrestuar në 2009 si pjesë e një grupi dhe kishte lidhje me oficerë policie dhe politikanë në Korfuz.
Përveç kësaj, hetuesit janë duke monitoruar biznesmenin 46-vjeçar Edi Lulo, i cili sapo kishte arritur nga Dubai dhe qëndron në gjendje të rëndë pas plagëve që mori gjatë një sulmi me armë. Lidhjet e Davellës mes Athinës, Korfuzit, Mykonos dhe Sarandës janë po ashtu nën hetim, pasi ai kishte biznese dhe prona në këto zona, si dhe kontakte me figura të fuqishme lokale.