Mediat greke kanë zbardhur më shumë detaje mbi atentatin e ndodhur në Athinë të dielën, ku mbeti i vrarë 47-vjeçari shqiptar Irakli Davella dhe u plagos rëndë 46-vjeçari Edi Lulo, i njohur gjithashtu si Etmond Hysa. Hetuesit dyshojnë se të dy viktimat ishin objektiva të atentatit, pasi u goditën nga të shtënat, ndonëse ndodheshin në distancë nga njëri-tjetri.
Ndërkohë, mediat kanë zbuluar se Edi Lulo, i njohur për një karrierë të gjatë kriminale, është i skeduar në Greqi që nga viti 2004. Ai ka marrë pjesë në disa grabitje dhe ngjarje të tjera të dhunshme, përfshirë grabitjen e rreth 405 mijë eurove në Dhomën e Avokatisë në 2011 dhe grabitjen e pajisjeve mjekësore në një klinikë në Athinë. Lulo dyshohet të jetë i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe ka lidhje me grupe kriminale shqiptare. Ai kishte mbërritur në Greqi më 9 dhjetor pas një fluturimi nga Gjermania, ndërsa banon në Dubai.