Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy është dënuar me tre vite burg për akuzat e korrupsionit dhe ndikimit të padrejtë. Dy vite nga dënimi do t’i konvertohen në liri me kusht, ndërsa një vit tjetër do të kalojë në arrest shtëpie, duke mbajtur një byzylyk elektronik. Ky dënim është një rast unik, pasi është hera e parë që një ish-kryetar shteti francez dënohet për korrupsion.
Gjykata e Kasacionit ka rrëzuar ankesën e avokatëve të Sarkozy, duke e lënë të pandryshuar dënimin. Sarkozy, i cili është 69 vjeç, mund të shmangë mbajtjen e byzylykut elektronik pas moshës 70-vjeçare, e cila do të mbushë në një muaj. Ai ishte shpallur fajtor për lidhjen e një “pakt korrupsioni” me Gilbert Azibert, një magjistrat i lartë, me qëllim që të merrte informacione për një çështje gjyqësore.