Ministri i Jashtëm shqiptar, Igli Hasani, priti sot në Tiranë homologun e tij nga Polonia, Radosław Sikorski, me të cilin diskutoi për avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian (BE). Gjatë takimit, të dy ministrat theksuan se zgjerimi i BE-së mbetet një prioritet i rëndësishëm, duke u angazhuar për një mbështetje të mëtejshme për Shqipërinë në këtë proces.
Sikorski theksoi se Polonia, që aktualisht mban Presidencën e Këshillit të BE-së, do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në hapin e saj të ardhshëm për hapjen e kapitujve të negociatave.
“Diskutova me Ministrin Sikorski për progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Vetëm dy ditë më parë, Shqipëria mbajti në Bruksel Konferencën e Tretë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, një hap i rëndësishëm në rrugën tonë drejt anëtarësimit. Ky proces i hapjes së kapitujve është jetik për integrimin dhe hapja e Grup-Kapitullit 6, që lidhet me politikën e jashtme dhe sigurinë, është një gur kilometrik për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar”,- u shpreh Hasani.
“Dua të përgëzoj Shqipërinë për hapat që ka hedhur në procesin e integrimit së fundmi.Shqipëria ka dëshmuar angazhimin në reforma, sidomos në sundimin e ligjit apo respektimin e të drejave të njeriut. Ne jemi gati për hapa konkretë për t’ju mbështetur në procesin e integrimit”,- theksoi Sikorski.