Këshilli Bashkiak i Shkodrës miratoi buxhetin për vitin 2025 me vlerë 29 milionë euro, ndërsa u parashikuan investime prej 45 milionë eurosh për projekte të zhvillimit të qytetit. Kryebashkiaku Benet Beci prezantoi vizionin për Shkodrën si kryeqendër rajonale, duke theksuar projekte strategjike për infrastrukturën, turizmin dhe kulturën.
“Sot sjellim përpara jush buxhetin, dokumentin më të rëndësishëm të Shkodrës dhe në mënyrë të veçantë dhe në mënyrë të veçantë, dokumentin që e kthen Shkodrën në një kryeqendër rajonale. Ky është edhe objektivi ynë kryesor i shpallur prej kohësh, të cilin po e ndjekim në të gjithë linjën strategjike të zhvillimit të qytetit, përgatitjes së buxhetit dhe bërjes së investimeve. Nëpërmjet projekteve strategjike, nëpërmjet investimeve, nëpërmjet bashkëpunimit me donatorët, nëpërmjet zhvillimit të turizmit, nëpërmjet ridimensionimit të jetës kulturore dhe artistike. Në pikat kryesore do të jetë ‘Shkodra kryeqendër rajonale’, ‘Projekti i Transformimit të Shkodrës’ dhe ‘Bashkia në Punë’ që janë 3 akset kryesore të diskutuara”,-tha Beci.
Gjatë seancës, opozita bllokoi procedurat e mbledhjes, duke sjellë tensione dhe ndërprerje të shkurtra. Megjithatë, buxheti kaloi me 30 vota pro nga mazhoranca.