Një tentativë grabitjeje ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në një bankë të nivelit të dytë në qytetin e Korçës. Sipas informacioneve paraprake, një shtetas ende i paidentifikuar ka hyrë me forcë në bankë rreth orës 22:04, duke shtyrë derën e jashtme. Pas hyrjes në ambientet e brendshme, autori është përpjekur të kryejë grabitjen, por ka pësuar dështim pasi ka rënë alarmi dhe ka ndodhur një reagim i shpejtë nga policia.
Autorin e dyshuar e tregon një foto, ku ai shfaqet i pamaskuar dhe mbante një telefon në dorë, në pozicionin për të filmuar veten. Pas njoftimit për ngjarjen, forcat e policisë kanë arritur menjëherë në vendin e ngjarjes, por autori është larguar me shpejtësi, pa arritur të marrë asgjë nga brenda bankës.
Policia ka nisur ndjekjen e autorit dhe ka rrethuar zonën ku dyshohet se ai është fshehur. Grupi hetimor po punon nën drejtimin e Prokurorisë për të identifikuar dhe kapur autorin e tentativës për grabitje.