Ambasadori i SHBA në Serbi, Christopher Hill, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk kanë gjetur prova që të lidhin Beogradin me shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Kosovë.
“Mendoj se ka një dëshirë nga të gjitha anët për të zbuluar të vërtetën se kush e ka bërë këtë. Ne sigurisht nuk shohim asnjë provë që do të çonte në Beograd, por dikush e bëri atë dhe duhet të kryhet një hetim i plotë”, tha Hill.
Hill shtoi se për momentin nuk ka asnjë provë që të mbështesë akuzat e Kosovës ndaj Serbisë dhe theksoi se FBI-ja po mbështet hetimin, duke pasur parasysh mungesën e besimit dhe akuzat e ndërsjella.
“Kosova po fajëson Serbinë, ne nuk shohim asnjë provë për të mbështetur akuza të tilla”, tha Hill.
Ai gjithashtu ka folur për rrugën evropiane të Serbisë, duke theksuar se vendimet e Beogradit do të jenë kyçe dhe se bashkëpunimi më i ngushtë mes SHBA dhe Serbisë është i domosdoshëm, përfshirë çështjen e litiumit si një lëndë e rëndësishme.
“Unë mendoj se Evropa dhe SHBA duhet të jenë të vetëdijshme për faktin se Serbia ka marrëdhënie të mira në atë pjesë të botës dhe ne duhet të bëjmë më shumë me Serbinë dhe shpresoj se BE-ja do të arrijë në atë përfundim”, tha Hill.