Krishtlindja u kremtua me solemnitet edhe në Lezhë, ku qindra besimtarë iu bashkuan ritualeve fetare në Katedralen e Shën Nikollit. Mesha e Shënjtë e Krishtlindjes u drejtua nga Ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës, Monsinjor Otavio Vitale, i cili në fjalën e tij theksoi rëndësinë e dashurisë dhe solidaritetit mes njerëzve, duke u bërë apel për paqe dhe unitet në këtë kohë të vështirë për botën.
Në mesazhin e tij, Ipeshkvi Vitale iu drejtua gjithashtu qeveritarëve, duke i ftuar ata të shërbejnë si shërbëtorë të popullit dhe jo si zotërinj. Pas meshës, besimtarët shpërndanë urime për Krishtlindje, duke kërkuar më shumë paqe dhe begati.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua organizimit të këtij rituali, me një numër të lartë qytetarësh të pranishëm në kishë dhe në sheshet përreth. Për të shmangur kaosin në lëvizje, policia vendosi të bllokonte rrugën përballë katedrales.