Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci thotë se janë duke gjeneruar opsione për furnizimin me helikopterë dhe në ditët në vijim do të kenë një informacion të qartë se ku është orientimi.
Maqedonci shprehet se synimi është që para përmbylljes së fazës së tretë të tranzicionit para vitit 2028 të kenë një pjesë të aseteve në FSK. Ai deklaron se institucionet e sigurisë janë të afta dhe të përgatitura për t’u përballur me çdo kërcënim që tenton të cenojë sovranitetin e vendit.
“Normalisht që rreziku gjithmonë është theksuar i mundshëm për një arsye të thjesht, për shkak që grupi i cili ka zhvilluar sulmin terrorist të 24 shtatorit dhe që dyshohet që është i implikuar edhe në sulmin e 29 nëntorit kundër infrastrukturës kritike, vazhdon të mbetet i lirë dhe i pandëshkuar në Republikën e Serbisë. Për më tepër Republika e Serbisë, më saktësisht institucionet atje vazhdojnë të lehtësojnë funksionimin e këtij grupi në territorin e Serbisë, duke e mbështetur edhe në aspektin financiar dhe administrativ këtë grup dhe që normalisht që e gjithë kjo është indikacion që ky grup mund të vazhdojë me sulme, dhe sulme terroriste të tilla që ndodhën edhe më herët lidhen shpesh me periudha të caktuara të vitit kur vlerësohet që vigjilenca mund të jetë më e ulët dhe kur vlerësohet që dëmi mund të jetë më i madh. Pra, normalisht që kryeministri i Republikës së Kosovës nuk thotë asgjë pa pasur paraprakisht informacion që drejton në atë drejtim”, thotë Maqedonci.