Universiteti i Tetovës ndërpreu marrëdhënien e punës me Artan Grubit, i cili jepte mësim në Departamentin e Gazetarisë të Fakultetit Juridik të këtij universiteti.
Zoti Grubi, i cili shërbeu në detyrën e zëvendëskryeministrit në qeverinë e kaluar të koalicionit mes Lidhjes Social Demokrate dhe Bashkimit Demokratik për Integrim, u arratis nga vendi para tre javësh, ndërsa autoritetet po përgatiteshin për fillimin e një procesi gjyqësor kundër tij, nën akuzat për marrje rushfeti.
Dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin e Tetovës Safet Emruli konfirmoi për Agjencisë Shtetërore të Lajmeve MIA se vendimi për largimin nga puna të zotit Grubi, u mor për shkak të mungesës paarsye të tij në punë.
“Vendimi i është komunikuar atij zyrtarisht, si me postë ashtu edhe në mënyrë elektronike”, sqaroi dekani Emruli.
Në bazë të ligjit, një punonjës mund të hiqet nga puna nëse nuk paraqitet tre ditë me radhë në vendin e punës, apo pesë ditë përgjatë gjithë vitit dhe mbi mungesën nuk jep asnjë arsye.
Vendimi i fakultetit u përshëndet nga koalicioni i partive shqiptare në qeveri “Vlen”, përfaqësuesit e së cilës thanë se zoti Grubi “nuk i përmbush kriteret morale dhe as profesionale për të dhënë mësim në Universitetin e Tetovës”./VOA