Arjon Hasaj, 29 vjeç, ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e Ramazan Matajt, bashkëfshatarit të tij, duke rrëfyer se motivi i krimit lidhet me lidhjen e gjatë të viktimës me motrën e tij, e cila kishte shkaktuar dy divorcet e saj. Sipas Hasajt, Mataj kishte shpërndarë video intime me motrën e tij, duke i dërguar ato ish-bashkëshortit të saj dhe personave të tjerë në fshat.
“Unë jam personi që e kam vrarë shtetasin Ramazan Mataj. Prej 6 vitesh ai kishte një lidhje me motrën tonë. Ramazani është personi që i ka prishur dy martesa motrës në 6 vitet e fundit. Ai këtë histori ia ka treguar shumë personave në fshat dhe më gjerë ndërsa është personi që divorcoi dy herë motrën tonë. Madje ka shpërndarë edhe disa video tek ish-burri i dytë dhe tek njerëz të tjerë në fshat në momente intime me motrën”– mësohet të ketë deklaruar Hasaj.
Në dëshminë e tij, Hasaj ka treguar se kishte përdorur një profil të rremë në Instagram për të ftuar Matajn në një takim, ku e qëlloi me armë. Pas vrasjes, ai fshehu armën dhe u largua me biçikletë.
“Unë hapa një llogari false në Instagram me emrin e një vajze dhe lashë një takim me Ramazan Mataj. Ai erdhi dhe aty e qëllova me armë zjarri. Më pas armën e fsheha disa metra më tutje nga vendi ku e vrava. Pas vrasjes jam larguar me biçikletë drejt banesës. Armën e kam pasur në shtëpi prej disa kohësh. Motra ka disa kohë që nuk jeton në banesën tonë, jetonte në Shkodër”, thuhet më tej në dëshminë e Hasajt.
Edhe pse vëllai i tij, Klismani, ka mohuar çdo lidhje me ngjarjen, hetuesit pretendojnë se ai mund të ketë ndihmuar në fshehjen e armës.
“Nuk kam pasur asnjë dijeni për vrasjen që do kryente vëllai dhe nuk kam lidhje me atë ngjarje”, mësohet të ketë deklaruar Klisman Hasaj, vëllai i autorit.
Vrasja ndodhi më 5 janar 2025, në fshatin Dragoç të Shkodrës, dhe ngjarja ka shkaktuar tronditje në komunitetin lokal.