Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, qeveria miratoi ndryshimet në Ligjin 133/2015 për trajtimin e pronës, duke zgjatur afatet për shqyrtimin dhe kompensimin e pronave të ish-pronarëve.
Afati i shqyrtimit dhe vlerësimit të dosjeve të patrajtuara në Agjencinë e Trajtimit të Pronave (ATP) do të shtyhet deri në dhjetor 2027, ndërsa afati për kompensimin e ish-pronarëve në vlerë financiare do të zgjasë deri në dhjetor 2028.
“Janë dy ndryshime shumë të rëndësishme sepse, e para, i jep mundësinë ATP-së që të shprehet për mundësinë e trajtimit të 7110 dosjeve të patrajtuara të ish-pronarëve dhe deri në fund të 2028-ës një numër i konsiderueshëm i ish-pronarëve të kompensohen edhe në vlerë financiare”, tha Manja.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, theksoi se ky ndryshim ofron mundësinë që të trajtohen deri në 7110 dosje të patrajtuara dhe të kompensohet një numër i konsiderueshëm ish-pronarësh.
“Siç jeni në dijeni nga akti i miratimit të buxhetit për vitin 2025 në afatmesëm kemi parashikuar rreth tre miliardë lekë deri në vitin 2025 për kompensimin e ish-pronarëve, në vitin 2026-2027 është parashikuar 5,3 miliardë lekë dhe për vitin 2028 që është viti i fundit masa do të jetë 7,63 miliardë lekë”, tha Manja.